Historiku i Dhomës së Tregtisë
  • Në rrjedhën e shekujve, në proceset e ndryshme të zhvillimit ekonomiko-shoqëror e politik të Shqipërisë, treva e Shkodrës ka ngritur e zhvilluar vazhdimisht, institucionet e saj. Ky kujdes, për të patur në qendër të çdo risie një organizim, një bashkëveprim idesh dhe energjish, për të ecur në krah të përparimit, i ka dalluar banorët e kësaj treve për vlera të veçanta bashkëkohore dhe për shpirtin e tyre krijues e demokratik.
  • Në shërbim të vlerave të zhvillimit, tregtarët e Shkodrës, me vizionin e tyre për kohën dhe për të ardhmen, krijuan hershëm institucionin e tyre, Dhomën e Tregtisë që daton me simotrat e para të ngritura në disa qytete europiane.
Mbi bazën e dokumenteve, tregohet se në Shkodër, Dhoma e Tregtisë daton që me 8 prill 1736. “Komuniteti i Pjacës së Shkodrës” (kështu quhej Dhoma n’atë kohë), ishte organizëm i natyrës shtetërore që u shërbente tregtarëve dhe zejtarëve dhe mbronte interesat e tyre.

Lindja dhe zhvillimi i marrëdhënieve kapitaliste, zhvillimi i shpejtë i forcave prodhuese bëri që nga fillimi i viteve 80-të të shek. të XIX-të të ngriheshin dhomat tregtare në disa qendra kryesore të trojeve shqiptare. Bashkëpunimi i dhomave në mes tyre, bashkëveprimi përballë qeverisë, në emër të mbrojtjes së interesave të tregtisë dhe zejeve i bëri dhomat me autoritet dhe shumë të besueshme për kohën. Zhvillimi gjatë këtyre periudhave i shumë kongreseve tregtare dhe ndryshimet që iu bënë ligjit “Për Odat e Tregtisë” i institucionalizoi më shumë dhomat, të cilat vazhduan me këtë status deri në vendosjen e sistemit të centralizuar të ekonomisë.

Gjatë 50 viteve të sistemit komunist “Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Shqipërisë (pa dhoma në rrethet e vendit) kishte vetëm emrin pasi veprimtaria e saj ishte krejt formale, dhe shërbente më tepër vetëm për t’u përfaqësuar në marrëdhëniet ndërkombëtare me pjesëmarrjen në ndonjë panair, konferencë etj.

Përmbysja e sistemit komunist, zhvillimi i proceseve demokratike dhe lindja e ekonomisë së tregut, i dhanë shtysën tregtarëve të rinj shkodranë, që nisur nga tradita e pasur, të rikrijonin me 1 janar 1992 Dhomën e Tregtisë dhe të Industrisë. Aktivitetin e saj Dhoma e filloi me anëtarësi vullnetare deri me 8 mars 1994 me daljen e ligjit të ri “Për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë” i cili i institucionalizoi më shumë dhomat nëpër rrethe. Gjatë kësaj periudhe dhomat kanë njohur rritje të pandërprerë duke ndihmuar shumë në zhvillimin e proceseve të ekonomisë së tregut, në mbrojtjen e interesave të biznesit dhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

Që nga muaji prill 2008, me ndryshimin që iu bë ligjit “Për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë” dhomat kaluan përsëri në sistemin me anëtarësi vullnetare.

Rregjistrimi në Dhomë u ka krijuar subjekteve shumë lehtësi në aktivitetin e tyre si dhe në marrëdhënie me shtetin dhe me institucione të ndryshme. Anëtarësia në Dhomë i ka rritur gjithashtu autoritetin këtyre subjekteve.

Gjithsesi shumëkush që nuk është i fushës së biznesit (si dhe të tjerë) mund të jenë të interesuar të dinë më gjërë mbi aktivitetin e Dhomës sonë në veçanti.